Zanafilla 1:24-31
Zanafilla 1:24-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarranikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë. Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë». Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet, në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi, mashkull e femër i krijoi. Pastaj Perëndia i bekoi e u tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbusheni tokën e nënshtrojeni. Sundoni mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit e mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë». Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë për ushqim çdo bimë, mbi faqen e tokës, që ka farë e çdo pemë që ka fryte me farë. Dhe kafshëve të egra, shpendëve të qiellit e zvarranikëve të tokës, çdo qenieje të gjallë, u kam dhënë për ushqim gjithë bimësinë». Dhe kështu u bë. Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë.
Zanafilla 1:24-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre". Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët sipas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe". Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë". Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë që ka fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim. Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.