Galatasve 5:16-26
Galatasve 5:16-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin. Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, zilitë, dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin.
Galatasve 5:16-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit, sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi. Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj. Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim. Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.