Galatasve 3:21-29
Galatasve 3:21-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin. Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin. Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.
Galatasve 3:21-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit. Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t'u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit. Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej. Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit. Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues, sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti. Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin. Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.