Esdra 6:13-22
Esdra 6:13-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Tatenai, qeveritari krahinës përtej lumit, Shetar Boznai dhe bashkëpunëtorët e tyre vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti Dar. Pleqtë e judenjve vijuan punimet dhe përparuan të shtyrë edhe nga profecitë e profetit Haga dhe të profetit Zakari, birit të Idoit. Ata i përfunduan ndërtimet sipas urdhrit të Perëndisë së Izraelit dhe sipas urdhrit të Kirit, Darit dhe Artakserksit, mbretërve të Persisë. Tempulli përfundoi në ditën e tretë, të muajit Adar, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit. Bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe gjithë të kthyerit e tjerë prej robërisë bënë kushtimin e tempullit të Perëndisë tërë gëzim. Për kushtimin e tempullit ata kushtuan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli mëkati për mbarë Izraelin, sipas numrit të fiseve të Izraelit. Mandej caktuan priftërinj, sipas rendit të tyre, dhe levitë, sipas rendit të tyre, për shërbesën e Perëndisë së Jerusalemit, siç është shkruar në librin e Moisiut. Të kthyerit prej robërisë kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. Priftërinjtë ishin pastruar bashkë me levitët dhe të gjithë ishin të pastër. Ata therën flinë e Pashkës për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj e për vete. Izraelitët e kthyer nga robëria hëngrën Pashkën bashkë me të gjithë ata që kishin hequr dorë nga papastërtia e kombeve të vendit, për të kërkuar ZOTIN, Perëndinë e Izraelit. Mandej kremtuan për shtatë ditë të kremten e Bukëve të ndorme, sepse ZOTI i kishte mbushur me gëzim, duke e prirë zemrën e mbretit të Asirisë në të mirë të tyre, që ai t'i ndihmonte për ndërtimin e tempullit të Perëndisë, Perëndisë së Izraelit.
Esdra 6:13-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar. Kështu pleqtë e judenjve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhrit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artakserksit, mbretit të Persisë. Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit. Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë. Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin. Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut. Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, sepse priftërinjtë dhe levitët ishin pastruar bashkërisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre. Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit. Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t'i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.