Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 47:1-12

Ezekieli 47:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj më çoi te hyrja e tempullit. Dhe ja, prej nënpragut të tempullit dilte ujë drejt lindjes, sepse pamja e tempullit ishte drejt jugut. Uji zbriste nën anën e djathtë të tempullit, nga jugu i altarit. Pastaj më nxori udhës së portës veriore dhe më solli rrotull përjashta, deri te porta e jashtme me pamje drejt lindjes. Ja, uji rridhte në krahun e djathtë. Burri doli drejt lindjes me një litar në dorë dhe mati një mijë kute. Pastaj më bëri të kaloj nëpër ujë. Uji më mbërrinte deri te nyjat. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte te gjunjtë. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte në mes. Mati edhe një mijë. U bë një lumë që nuk mund ta kapërceja, se ujërat ishin fryrë. Ishin ujëra të lundrueshme, lumë që nuk mund të kalohej. Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a sheh?». Pastaj më ktheu në breg të lumit. Duke u kthyer, pashë një bimësi të madhe në breg të lumit nga njëra anë e nga ana tjetër. Ai më tha: «Këto ujëra rrjedhin drejt trojeve lindore, zbresin në Arabah dhe derdhen në det. Kur derdhen në det, ujërat pastrohen. Kudo që shkon lumi, çdo qenie e gjallë që gëlon do të jetojë. Do të ketë peshk me tepri, sepse ku mbërrijnë ujërat, sjellin shërim dhe, ku mbërrin lumi, do të ketë jetë. Në brigjet e tij do të ketë peshkatarë. Hapësira për të shtrirë rrjetat do të jetë nga En Gedi në Eneglaim. Do të ketë peshk të shumëllojshëm, si peshku i detit të madh. Kënetat dhe gjolet e tij nuk do të shërohen, por do të mbeten për kripë. Përgjatë rrjedhës, në të dyja brigjet, do të rriten të gjitha llojet e pemëve frutore. Gjethet e tyre nuk do të vyshken dhe fryti i tyre nuk do të mbarojë, por do të lidhin fryt çdo muaj, sepse uji i tyre rrjedh nga shenjtërorja. Fryti i tyre do të jetë ushqim dhe gjethet e tyre do të sjellin shërim».

Ezekieli 47:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit. Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë. Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët. Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej. Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit. Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër. Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen. Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t'u gjallëruar. Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-Gedi deri në Engeglaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh. Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë. Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë