Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 36:22-31

Ezekieli 36:22-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, ZOTI: nuk po veproj për hirin tuaj, o shtëpia e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju e përdhosët ndër kombet ku kishit shkuar. Do ta shenjtëroj emrin tim të madh që u përdhos ndër kombe dhe që ju e përdhosët mes tyre. Kombet do ta marrin vesh se unë jam ZOTI, kumton Zoti im, ZOTI, kur ta kem shenjtëruar emrin tim përmes jush para tyre. Do t'ju marr prej kombeve, do t'ju mbledh prej të gjitha vendeve e do t'ju sjell në tokën tuaj. Do t'ju stërpik me ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha papastërtitë. Edhe prej të gjithë idhujve do t'ju pastroj. Do t'ju jap një zemër të re. Një shpirt të ri do të vë brenda jush. Do t'jua heq nga mishi zemrën e gurit dhe do t'ju jap një zemër mishi. Do ta vë shpirtin tim brenda jush e do t'ju bëj të ecni sipas rregullave të mia. Ju do t'i mbani e do t'i zbatoni vendimet e mia. Do të banoni në tokën që u dhashë etërve tuaj. Ju do të jeni populli im, ndërsa unë do të jem Perëndia juaj. Unë do t'ju shpëtoj nga çdo papastërti. Do t'i bëzaj grurit e do ta shumoj dhe nuk do të ta dërgoj më zinë e bukës. Do ta shumoj frytin e pemës dhe prodhimin e arës, që kombet të mos tallen më me ty për shkak të zisë së bukës. Do t'ju kujtohen sjelljet tuaja të liga e veprat tuaja jo të mira e do t'ju pështiroset vetja për shkak të ligësive dhe të neverive tuaja.

Ezekieli 36:22-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar. Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti", thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre. Do t'ju marr nga kombet, do t'ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t'ju çoj përsëri në vendin tuaj. Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t'ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj. Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia. Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj. Do t'ju çliroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush. Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve. Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqija dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.