Ezekieli 33:7-12
Ezekieli 33:7-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ty, bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, paralajmëroi nga ana ime. Nëse i them të paudhit: i paudhë, do të vdesësh, por ti nuk flet për ta paralajmëruar që të heqë dorë nga sjellja, ai, i paudhi, do të vdesë për fajin e vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin të heqë dorë nga sjellja e vet e të pendohet, por ai nuk pendohet, ai do të vdesë për fajin e vet e ti do të shpëtosh. Ti, bir i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Ju flisni e thoni: shkeljet dhe mëkatet tona ranë mbi ne e po kalbemi në to. Si do të mbetemi gjallë?”. Ti thuaju: pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, unë nuk gëzohem me vdekjen e të paudhëve, por që i paudhi të pendohet për sjelljen e vet e të jetojë. Pendohuni, pendohuni për sjelljet tuaja të liga. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Ti, o bir i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: të drejtin nuk e shpëton drejtësia e vet, kur ai bën shkelje. I paudhi nuk do të pengohet në paudhësinë e vet, nëse pendohet për paudhësinë e vet. I drejti nuk mund të jetojë falë drejtësisë, nëse mëkaton.
Ezekieli 33:7-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime. Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri", dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t'i kërkojë llogari dorës sate. Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd. Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?". U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit? Prandaj ti, bir njeriu, u thuaj bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë atë ditën e mëkatit të tij; po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij, dhe i drejti nuk do të mund të jetojë për shkak të drejtësisë së tij ditën që do të kryejë mëkate.