Ezekieli 28:11-17
Ezekieli 28:11-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, nis vajtimin për mbretin e Tirit e thuaji se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ti ishe vula e përsosurisë, plot urti e me bukuri të përkryer. Ti ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë. Çdo gur të çmuar kishe për mbulojë: rubin, krisolit e smerald, topaz, oniks e diaspër, safir, granat e beril. Me zeje ari ishin lodrat e tua, gdhendjet e tua në ditën e krijimit tënd qenë bërë gati. Ishe si kerub mbrojtës krahëhapur. Të vura mbi malin e shenjtë të Perëndisë e mbi gurë të zjarrtë ecje. Të përsosura i kishe sjelljet që nga dita kur u krijove deri kur u gjet te ti paudhësia. Për shkak të begatisë së shkëmbimeve të tua, u dende me dhunë në mesin tënd e mëkatove. Atëherë të flaka si të përdhosur nga mali i Perëndisë e të shkatërrova, o kerub mbrojtës, nga mesi i gurëve të zjarrtë. T'u rrit mendja nga bukuria jote, t'u çart urtia për shkak të bukurisë. Të hodha përtokë e të flaka para mbretërve, që të shihnin shfaqje te ti.
Ezekieli 28:11-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria. Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me llojlloj gurësh të çmuar: rubinë, topaze, diamante, krisolite, onikse, diaspra, safirë, karbonkë, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove. Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri. Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, derisa nuk u zbulua te ti çoroditja. Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri. Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin.