Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 18:1-32

Ezekieli 18:1-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Çfarë keni që thoni në dheun e Izraelit këtë thënie: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”? Pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, nuk do ta thoni kurrë më këtë thënie në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat më përkasin mua. Mua më përket si jeta e atit, ashtu edhe jeta e birit. Ai që do të mëkatojë, ai edhe do të vdesë. Nëse një njeri është i drejtë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, nëse nuk ha mbi male dhe nuk i ngre sytë drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nëse nuk e fëlliq gruan e të afërtit e nuk i afrohet asnjë gruaje me të përmuajshme, nëse nuk i bën trysni askujt, por ia kthen pengun detyruesit, nëse nuk plaçkit, por i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, nëse nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitim, por zbaton drejtësinë e vërtetë mes njerëzve, ndjek vendimet e mia dhe vepron me besnikëri, ai është i drejtë e do të jetojë, kumton Zoti im, ZOTI. Por, nëse i lind djali mujshar e gjakderdhës, që kryen ndonjë veprim të tillë, ndonëse ai vetë nuk kishte bërë asnjë nga këto, i biri, për më tepër, ha mbi male, fëlliq gruan e të afërtit, i bën trysni skamnorit e nevojtarit, plaçkit, nuk e kthen pengun, i ngre sytë drejt idhujve, kryen pështirësi, jep hua me kamatë dhe merr përfitimin, a do të jetojë vallë i biri? Ai nuk do të jetojë. I bëri të gjitha këto pështirësi, do të vdesë patjetër e gjaku i vet do të bjerë mbi të. Por, nëse i lind një djalë, i cili sheh të gjitha mëkatet që ka bërë i ati, i sheh, por nuk vepron njësoj, nuk ha mbi male, nuk i ngre sytë drejt idhujve të Izraelit, nuk e fëlliq gruan e të afërtit, nuk bën trysni, nuk e mban pengun, nuk plaçkit, i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, heq dorë nga paudhësia, nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitimin, zbaton vendimet e mia dhe ndjek rregullat e mia, ai nuk do të vdesë për faj të të atit, por do të jetojë patjetër. Ndërsa i ati që e ka zhvatur e vjedhur vëllanë dhe ka bërë çfarë nuk është e mirë mes popullit të vet, ja, ai do të vdesë për faj të vet. Ju thoni: “Pse nuk e mbart biri fajin e të atit?”. Sepse i biri zbaton të drejtën e drejtësinë, mban të gjitha rregullat e mia dhe i zbaton, prandaj do të jetojë. Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia. Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar. A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, ZOTI, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë? Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t'i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë. Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë. Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë. E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë. Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, ZOTI. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t'ju pengojë më faji juaj. Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, ZOTI, prandaj pendohuni e jetoni».

Ezekieli 18:1-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: "Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"? Ashtu si është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur. Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë, në se nuk ha në male dhe nuk ngre sytë tek idhujt e shtëpisë së Izraelit, në rast se nuk prek gruan dhe fqinjët të tij dhe nuk i afrohet një gruaje kur ajo është e papastër, në rast se nuk shtyp askënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq, në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit, në rast se ecën sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar", thotë Zoti, Zoti. Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra, (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij, shtyp të varfrin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme, jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të. Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen, nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit, nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq, e përmban dorën që të mos shtypë të varfrin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar. I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij. Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar. Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të. Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur. Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t'i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton. A ndiej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?", thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë? Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre. Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta? Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer. Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij. Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur. Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta? Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit", thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi. Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit? Unë në fakt nuk ndiej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".