Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 18:1-20

Ezekieli 18:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Çfarë keni që thoni në dheun e Izraelit këtë thënie: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”? Pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, nuk do ta thoni kurrë më këtë thënie në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat më përkasin mua. Mua më përket si jeta e atit, ashtu edhe jeta e birit. Ai që do të mëkatojë, ai edhe do të vdesë. Nëse një njeri është i drejtë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, nëse nuk ha mbi male dhe nuk i ngre sytë drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nëse nuk e fëlliq gruan e të afërtit e nuk i afrohet asnjë gruaje me të përmuajshme, nëse nuk i bën trysni askujt, por ia kthen pengun detyruesit, nëse nuk plaçkit, por i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, nëse nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitim, por zbaton drejtësinë e vërtetë mes njerëzve, ndjek vendimet e mia dhe vepron me besnikëri, ai është i drejtë e do të jetojë, kumton Zoti im, ZOTI. Por, nëse i lind djali mujshar e gjakderdhës, që kryen ndonjë veprim të tillë, ndonëse ai vetë nuk kishte bërë asnjë nga këto, i biri, për më tepër, ha mbi male, fëlliq gruan e të afërtit, i bën trysni skamnorit e nevojtarit, plaçkit, nuk e kthen pengun, i ngre sytë drejt idhujve, kryen pështirësi, jep hua me kamatë dhe merr përfitimin, a do të jetojë vallë i biri? Ai nuk do të jetojë. I bëri të gjitha këto pështirësi, do të vdesë patjetër e gjaku i vet do të bjerë mbi të. Por, nëse i lind një djalë, i cili sheh të gjitha mëkatet që ka bërë i ati, i sheh, por nuk vepron njësoj, nuk ha mbi male, nuk i ngre sytë drejt idhujve të Izraelit, nuk e fëlliq gruan e të afërtit, nuk bën trysni, nuk e mban pengun, nuk plaçkit, i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin, heq dorë nga paudhësia, nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitimin, zbaton vendimet e mia dhe ndjek rregullat e mia, ai nuk do të vdesë për faj të të atit, por do të jetojë patjetër. Ndërsa i ati që e ka zhvatur e vjedhur vëllanë dhe ka bërë çfarë nuk është e mirë mes popullit të vet, ja, ai do të vdesë për faj të vet. Ju thoni: “Pse nuk e mbart biri fajin e të atit?”. Sepse i biri zbaton të drejtën e drejtësinë, mban të gjitha rregullat e mia dhe i zbaton, prandaj do të jetojë. Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia.

Ezekieli 18:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë: "Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"? Ashtu si është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael. Ja, të gjithë shpirtrat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur. Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë, në se nuk ha në male dhe nuk ngre sytë tek idhujt e shtëpisë së Izraelit, në rast se nuk prek gruan dhe fqinjët të tij dhe nuk i afrohet një gruaje kur ajo është e papastër, në rast se nuk shtyp askënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq, në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit, në rast se ecën sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar", thotë Zoti, Zoti. Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra, (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij, shtyp të varfrin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme, jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të. Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen, nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit, nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq, e përmban dorën që të mos shtypë të varfrin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar. I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij. Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar. Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.