Eksodi 9:3-10
Eksodi 9:3-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
dora e ZOTIT do të godasë me murtajë të rëndë bagëtitë e tua në fushë, kuajt, gomarët, devetë, lopët e delet. ZOTI do të bëjë dallim mes bagëtive të Izraelit dhe bagëtive të Egjiptit, që asgjë të mos e prekë gjënë e izraelitëve. ZOTI e ka caktuar kohën. Nesër do ta bëjë këtë gjë mbi tokë!”». Të nesërmen ZOTI e bëri këtë gjë dhe tërë bagëtitë e egjiptianëve ngordhën. Prej bagëtive të izraelitëve nuk ngordhi asnjë. Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, asnjë nga bagëtitë e izraelitëve nuk kishte ngordhur. Por faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk e la popullin të shkojë. Atëherë ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Mbushini duart me hirin e furrës dhe Moisiu ta hedhë në ajër para faraonit. Një pluhur i imët do të përhapet mbi mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë njerëz e kafshë në tërë Egjiptin do të mbulohen me çibanë e lunga». Kështu, ata morën hi dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër dhe njerëzit e kafshët u mbuluan me çibanë e lunga.
Eksodi 9:3-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
ja, dora e Zotit do të jetë mbi bagëtinë tënde, që është nëpër fusha, mbi kuajt, mbi gomarët, mbi devetë, mbi bagëtinë e trashë dhe të imët, dhe do të ketë gjëmë të madhe. Por Zoti do të bëjë dallim midis bagëtisë së Izraelit dhe asaj të Egjiptit; kështu asnjë ngordhje nuk do të ketë në gjithçka që u përket bijve të Izraelit"". Pastaj Zoti caktoi një afat, duke thënë: "Nesër Zoti do ta bëjë këtë në vend". Dhe Zoti e bëri atë të nesërmen, dhe tërë bagëtia e Egjiptit ngordhi; por nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi as edhe një kokë. Faraoni dërgoi njerëz për të parë, dhe ja asnjë kokë bagëtie e izraelitëve s'kishte ngordhur. Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk e la popullin të shkojë. Pastaj Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Merrni ca grushte hi furre, dhe Moisiu ta shpërndajë atë drejt qiellit në sytë e Faraonit. Ai do të bëhet një pluhur i imët në të gjithë vendin e Egjiptit, dhe do të shkaktojë ulcera që do të përftojnë puçrra me qelb te njerëzit dhe te kafshët në të gjithë vendin e Egjiptit". Atëherë ata morën hi furre dhe u paraqitën para Faraonit; dhe Moisiu e shpërndau drejt qiellit, dhe ai shkaktoi ulcera që përftuan puçrra te njerëzit dhe te kafshët.