Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 4:13-29

Eksodi 4:13-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». Atëherë ZOTI u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t'ju mësoj çfarë të bëni. Lëre Aronin t'i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t'i bësh shenjat». Atëherë Moisiu shkoi, u kthye te vjehrri i tij, Jetri, e i tha: «Lërmë të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt, që të shoh në janë ende gjallë». Jetri i tha Moisiut: «Shko në paqe!». ZOTI i tha Moisiut në Midian: «Kthehu në Egjipt, sepse të gjithë njerëzit që donin të të vrisnin kanë vdekur». Moisiu mori me vete gruan dhe bijtë e tij, i ngarkoi mbi gomarë e u nis për në tokën e Egjiptit. Ai mori në dorë edhe shkopin e Perëndisë. ZOTI i tha Moisiut: «Kur të kthehesh në Egjipt bëji para faraonit të gjitha mrekullitë që të lashë në dorë t'i bësh. Por unë do t'ia ngurtësoj zemrën dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. Pastaj do t'i thuash faraonit: “Kështu thotë ZOTI: Izraeli është biri im i parëlindur. Prandaj po të them: lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë. Nëse nuk e lë të shkojë, unë do të vras birin tënd të parëlindur”». Rrugës, në një vend ku kaluan natën, ZOTI i doli përpara dhe deshi ta vriste. Atëherë Sefora mori një gur të mprehtë, ia preu lafshën të birit dhe duke i prekur gjymtyrën, tha: «Të kam dhëndër gjaku!». Perëndia u tërhoq prej tij e ajo tha: «Dhëndër gjaku nga rrethprerja». ZOTI i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun në shkretëtirë». Ai shkoi, i doli Moisiut përpara në malin e Perëndisë dhe e puthi. Moisiu i tregoi Aronit të gjitha fjalët që ZOTI i kishte porositur të thoshte dhe të gjitha shenjat që i kishte urdhëruar të bënte. Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e mblodhën gjithë pleqtë e Izraelit.

Eksodi 4:13-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!". Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndiejë gëzim në zemër të vet. Ti do t'i flasësh dhe do t'i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t'ju mësoj atë që duhet të bëni. Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia. Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë". Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: "Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë". Dhe Jethro i tha Moisiut: "Shko në paqe". Zoti i tha Moisiut në Midian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur". Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë. Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. Dhe ti do t'i thuash Faraonit: "Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im". Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd". Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste. Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu lafshën e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: "Ti për mua je një dhëndër në gjak!". Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: "Ti je një dhëndër gjakatar", për shkak të rrethprerjes. Zoti i tha Aaronit: "Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun". Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi. Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte. Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit.