Eksodi 4:1-7
Eksodi 4:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur ZOTI”?». Atëherë ZOTI i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. Por ZOTI i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t'u shfaq ZOTI, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». ZOTI i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit.
Eksodi 4:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t'i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"". Atëherë Zoti i tha: "Ç'është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjigj: "Një bastun". Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun). "Këtë ke për të bërë", tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur". Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora. Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.