Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 34:1-35

Eksodi 34:1-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Moisiut: «Lato dy rrasa guri si të parat, që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat që theve. Bëhu gati në të gdhirë dhe ngjitu në malin e Sinait. Qëndro para meje në majë të malit. Askush të mos ngjitet me ty. Këmbë njeriu të mos duket në mal dhe asnjë bagëti e imët apo e trashë të mos kullotë kundruall malit». Kështu, Moisiu latoi dy rrasa guri si të parat dhe u ngjit në malin e Sinait herët në mëngjes, siç e kishte urdhëruar ZOTI. Atëherë ZOTI zbriti në re, qëndroi me Moisiun dhe shpalli emrin e vet. ZOTI i kaloi përballë dhe shpalli: «ZOTI, ZOTI, Perëndi i dhimbshëm e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri. E ruan mirësinë për mijëra brezni, fal paudhësinë, shkeljen dhe mëkatin, por nuk lë gjë pa dënuar. Paudhësinë e etërve e ndëshkon, deri te fëmijët e nipat, deri te breznia e tretë dhe e katërt». Atëherë Moisiu u përkul përtokë me të shpejtë, e adhuroi e tha: «Zot, nëse kam gjetur hir para teje, të lutem nisu bashkë me ne. Edhe pse ky popull është kokëfortë, na i fal paudhësitë e mëkatet dhe na bëj të tutë». Zoti i tha: «Ja, unë po bëj një besëlidhje. Do të bëj para tërë popullit mrekulli që nuk janë bërë mbi mbarë tokën dhe në asnjë popull. Tërë populli mes të cilit banon do të shohë veprën e ZOTIT, sepse ajo që do të bëj me ty do të jetë e mrekullueshme. Mbaj çfarë po të urdhëroj sot. Ja, unë po i dëboj para teje amoritët, kananitët, hititët, perizitët, hivitët dhe jebusitët. Prandaj ruaj se bën ndonjë besëlidhje me banorët e tokës ku po hyn, sepse do të zihesh në kurth. Përkundrazi, rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta dhe zhbiji shtyllat e Asherave të tyre, sepse nuk ke për të adhuruar asnjë perëndi tjetër ngaqë emri i ZOTIT është “xheloz” dhe ai është një Perëndi xheloz. Mos lidh besëlidhje me banorët e tokës, sepse kur të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe kur t'u flijojnë fli perëndive të tyre, do të të ftojnë dhe kështu do të hash edhe ti prej flive të tyre. Po ua more bijat si gra për bijtë e tu, ato do të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre dhe do të bëjnë që edhe bijtë e tu të jepen pas kurvërisë me perënditë e tyre. Mos bëj për vete perëndi të metaltë. Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit të Abibit, sepse pikërisht në atë muaj dole nga Egjipti. Çdo fryt i parë i barkut më përket mua, çdo mashkull i parë i bagëtive, si i qeve, ashtu edhe i deleve. Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Tërë të paralindurit e bijve të tu do t'i shpaguash. Askush të mos dalë para meje duarbosh. Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh. Do të pushosh edhe gjatë të mbjellave e të korrave. Kremto festën e Javëve me prodhimet e para të korrjes së grurit dhe festën e të Vjelave në fund të çdo viti. Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para ZOTIT Perëndi, Perëndisë së Izraelit. Kur t'i zboj kombet para teje dhe t'i zgjeroj kufijtë e tu, askush nuk do ta sulmojë tokën gjatë kohës që paraqitesh tri herë në vit para ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj flinë e të kremtes së Pashkës për të nesërmen. Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t'i sjellësh në shtëpinë e ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës». ZOTI i tha Moisiut: «Shkruaji këto fjalë, sepse mbi këto fjalë e kam lidhur besëlidhjen me ty dhe me Izraelin». Moisiu qëndroi me ZOTIN për dyzet ditë e net, pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. Ai i shkroi fjalët e besëlidhjes në rrasa. Janë dhjetë urdhërimet. Pastaj Moisiu zbriti nga mali i Sinait duke mbajtur ne dorë dy rrasat e dëshmisë. Por ai nuk e dinte që i ndrinte fytyra ngaqë kishte folur me Zotin. Kur Aroni dhe izraelitët panë sesi i ndrinte fytyra Moisiut, patën frikë t'i afroheshin. Por Moisiu i thirri. Atëherë Aroni me tërë krerët e bashkësisë u kthyen dhe ai foli me ta. Pas kësaj u afruan tërë izraelitët dhe Moisiu u urdhëroi gjithçka që ZOTI i kishte thënë në malin e Sinait. Si mbaroi së foluri me ta, Moisiu mbuloi fytyrën me vel. Kështu, sa herë që shkonte para ZOTIT për të folur, Moisiu e hiqte velin derisa largohej. Pastaj, kur dilte dhe u tregonte izraelitëve urdhërimet e Zotit, izraelitët e shikonin sesi i ndrinte fytyra. Atëherë Moisiu e vinte sërish velin dhe e mbante derisa shkonte për të folur përsëri me Zotin.

Eksodi 34:1-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti i tha Moisiut: "Preji dy pllaka guri ashtu si të parat; dhe unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që theve. Kështu ji gati në mëngjes dhe ngjitu në mëngjes në malin Sinai, dhe qëndro aty afër meje në majë të malit. Askush të mos ngjitet bashkë me ty dhe të mos duket asnjeri në tërë malin; as kope me bagëti të imët a të trashë përreth këtij mali". Kështu Moisiu preu dy pllaka guri, si të parat; u ngrit herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti, dhe mori në dorë të dyja pllakat prej guri. Atëherë Zoti zbriti në renë dhe u ndal aty pranë tij, dhe shpalli emrin e Zotit. Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt". Dhe Moisiu nxitoi të përkulet deri në tokë, dhe adhuroi. Pastaj tha: "O Perëndi, në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, eja në mes nesh, sepse ky është një popull me qafë të fortë; na fal padrejtësinë tonë dhe mëkatin tonë, dhe na merr si trashëgiminë tënde". Zoti u përgjigj: "Ja, unë po bëj një besëlidhje: Do të bëj para gjithë popullit mrekulli, që nuk janë bërë kurrë mbi të gjithë dheun dhe në asnjë komb tjetër; dhe tërë populli në mes të të cilit Këqyr atë që po të urdhëroj sot: Ja unë do t'i dëboj para teje amorenjtë, kanaanenjtë, hitenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë. Ruhu se bën ndonjë aleancë me banorët e vendit në të cilin ke për të vajtur, me qëllim që të mos jetë një grackë për ty; por rrëzo altarët e tyre, copëto shtyllat e tyre të shenjta dhe rrëzo shëmbëlltyrat e tyre, (sepse nuk do t'i përulesh një perëndi tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është "Xhelozi", është një Perëndi xheloz). Mos bëj asnjë aleancë me banorët e vendit sepse, kur ata kurvërohen te idhujt e tyre dhe ofrojnë fli idhujve të tyre, ndokush prej tyre të fton dhe ti ha nga flitë e tyre, dhe merr nga bijat e tyre për bijtë e tu, dhe vajzat e tyre të kurvërohen te idhujt e tyre dhe t'i shtyjnë bijtë e tu të kurvërohen te idhujt e tyre. Nuk do të bësh idhull me metal të shkrirë. Do të kremtosh festën e të ndormeve. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë pa maja, ashtu siç të kam urdhëruar në kohën e caktuar, në muajin e abibit, sepse në muajin e abibit ti ke dalë nga Egjipti. Kushdo që çel barkun është imi; është imja çdo pjellë e parë mashkull të të gjithë bagëtisë sate, qoftë e trashë ose e imët. Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t'i thyesh qafën. Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur të bijve të tu. Asnjeri nuk do të paraqitet para meje duarbosh. Do të punosh gjashtë ditë; por ditën e shtatë do të pushosh: do të pushosh edhe në kohën e lërimit dhe të korrjes. Do të kremtosh festën e javëve, domethënë, të prodhimit të parë të korrjes së grurit dhe festën e të vjelave në fund të vitit. Tri herë në vit do të paraqitet çdo mashkull i juaj para Perëndisë, Zotit, Perëndisë të Izraelit. Sepse unë do të dëboj kombe para teje dhe do të zgjeroj kufijtë e tu, dhe askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur do të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë përpara Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do të ofrosh me bukë të mbrujtur gjakun e viktimës së flijuar për mua; flia e festës së Pashkës nuk do të lihet deri në mëngjes. Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, prodhimet e para të fryteve të tokës sate. Nuk do ta gatuash kecin në qumështin e nënës së tij". Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaji këto fjalë, sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin". Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet. Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëlluese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin. Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëlluese dhe ata kishin frikë t'i afroheshin atij. Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre. Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai. Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij. Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin derisa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte. Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, derisa hynte të fliste me Zotin.