Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 33:1-23

Eksodi 33:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Moisiut: «Ngrihu prej këtej, ti dhe populli që nxore nga toka e Egjiptit, e shko drejt tokës që i premtova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë se do t'ua jap pasardhësve të tyre. Do të dërgoj para teje një engjëll që të dëbojë kananitët, amoritët, hititët, perizitët, hivitët e jebusitët. Shko pra, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, por unë nuk do të nisem me ju, që të mos ju shkatërroj udhës, sepse ju jeni një popull kokëfortë». Kur dëgjoi këtë lajm të keq, populli mbajti zi dhe askush nuk i veshi stolitë. ZOTI i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Jeni një popull kokëfortë. Sikur të ecja me ju edhe për një çast, do t'ju zhbija. Hiqini, pra, stolitë e pastaj do të vendos se çfarë do të bëj me ju”». Atëherë izraelitët i hoqën stolitë në malin Horeb e nuk i veshën më. Moisiu e merrte tendën dhe e ngulte jashtë fushimit, larg nga fushimi i izraelitëve. Atë e quajti tenda e takimit. Kushdo që kërkonte këshilla nga ZOTI shkonte te tenda e takimit që ishte jashtë fushimit. Sa herë që Moisiu shkonte te tenda, i gjithë populli ngrihej e dilte te hyrja e tendës se vet për të parë Moisiun kur hynte në tendë. Me të hyrë Moisiu, shtylla e resë zbriste te hyrja e tendës ndërkohë që ZOTI fliste me të. Kur shtylla e resë qëndronte te hyrja e tendës, gjithë populli ngrihej e përkulej me nderim te hyrja e tendës së vet. ZOTI i fliste Moisiut ballë për ballë, ashtu siç flet dikush me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në fushim, ndërsa ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk largohej nga tenda. Moisiu i tha ZOTIT: «Shiko, ti më ke thënë t'i prij këtij populli, por nuk më ke bërë të ditur se kë do të dërgosh me mua. Ti vetë më ke thënë se më njeh me emër dhe se kam gjetur hir para teje. Prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, m'i bëj të ditura udhët e tua, që të të njoh e të gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Kije parasysh se ky komb është populli yt». ZOTI iu përgjigj: «Prania ime do të jetë me ty dhe unë do të të jap prehje». Moisiu i tha: «Nëse prania jote nuk është me ne, mos na nis që këtej. Si do të merret vesh që unë dhe populli yt kemi gjetur hir para teje, përveçse duke u nisur me ne? Vetëm kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt e tjerë mbi faqen e dheut». ZOTI i tha Moisiut: «Do ta plotësoj edhe këtë kërkesë, sepse ke gjetur hir para meje dhe të njoh me emër». Pastaj Moisiu tha: «Më dëfto lavdinë tënde». ZOTI i tha: «Do ta kaloj para teje tërë mirësinë time dhe do të shpall para teje emrin e ZOTIT. Do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. Por fytyrën time nuk do të mund ta shohësh, se askush nuk mund ta shohë e të mbesë gjallë». Pastaj ZOTI tha: «Ja ku është një vend pranë meje. Qëndro mbi shkëmb, që kur të kalojë lavdia ime, të të fus në një zgavër shkëmbi e të të mbuloj me dorën time deri sa unë të kaloj. Pastaj do të heq dorën e ti do të më shohësh shpinën, por fytyra ime nuk mund të shihet».

Eksodi 33:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti i tha Moisiut: "Shko, ngjitu që këtej, ti së bashku me popullin që nxore nga vendi i Egjiptit, drejt vendit, që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t'ua jap pasardhësve të tu". Unë do të dërgoj një Engjëll para teje dhe do t'i dëboj kanaanenjtë, amorenjtë, hitenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë. Ngjitu drejt vendit ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, sepse unë do të ngjitem bashkë me ty, sepse je një popull me qafë të fortë, dhe nuk dua të të shfaros rrugës". Kur populli dëgjoi këto fjalë të kobshme, ndjeu një hidhërim të thellë, dhe askush nuk vuri stolitë e tij. Në fakt Zoti i kishte thënë Moisiut: "U thuaj bijve të Izraelit: "Ju jeni një popull me qafë të fortë; në qoftë se unë do të ngjitesha edhe për një çast të vetëm në mesin tënd, do të të konsumoja! Prandaj tani hiqi stolitë e tua dhe kështu unë do të di çfarë duhet të bëj me ty"". Kështu bijtë e Izraelit i hoqën stolitë e tyre, që nga nisja e tyre nga mali Horeb e tutje. Pastaj Moisiu mori çadrën dhe e ngriti jashtë kampit, larg tij dhe e quajti tenda e mbledhjes; kushdo që kërkonte Zotin, dilte drejt çadrës së mbledhjes, që ndodhej jashtë kampit. Kur Moisiu dilte për të shkuar në çadër, tërë populli ngrihej, dhe secili rrinte më këmbë në hyrje të çadrës së vet dhe ndiqte me sy Moisiun, derisa ai të hynte në çadër. Dhe kur Moisiu hynte në tendë, shtylla e resë zbriste dhe ndalej në hyrje të saj, dhe Zoti fliste me Moisiun. Tërë populli e shihte shtyllën e resë së ndaluar në hyrjen e çadrës; kështu tërë populli ngrihej dhe secili përkulej në hyrje të çadrës së vet. Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij; pastaj Moisiu kthehej në kamp. Por Jozueu, biri i Nunit, zbatuesi i tij i ri, nuk largohej nga çadra. Pastaj Moisiu i tha Zotit: "Pa shiko, ti më thua: "Bëj që ky popull të ngjitet". Por ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: "Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e mi". Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt". Zoti u përgjigj: "Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim". Atëherë Moisiu i tha: "Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej. Si do të mund të njihet tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir në sytë e tu? Ndofta kjo ndodh sepse ti vjen me ne? Kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut". Zoti i tha Moisiut: "Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht". Atëherë Moisiu tha: "Tregomë lavdinë tënde!". Zoti iu përgjigj: "Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj". Dhe tha akoma: "Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë". Pastaj Zoti tha: "Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin; dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, derisa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë