Eksodi 32:7-14
Eksodi 32:7-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Zbrit poshtë, se populli yt, që e nxore nga dheu i Egjiptit, u shthur. Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”». ZOTI vijoi: «E kam parë që ky është një popull kokëfortë. Tani më lër! Do të ndizem me zemërim e do t'i shuaj. Ty do të të bëj një komb të madh». Por Moisiu ia zbuti zemërimin ZOTIT, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o ZOT, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme? Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”». Atëherë ZOTI hoqi dorë nga e keqja që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij.
Eksodi 32:7-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar; u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"". Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë. Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t'i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh". Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë? Pse duhet që egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t'ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t'i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t'i bërë keq popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t'u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"". Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij.