Eksodi 2:11-15
Eksodi 2:11-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra». Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.
Eksodi 2:11-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij. Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë. Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?". Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë". Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Midianit; dhe u ul afër një pusi.