Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 16:1-36

Eksodi 16:1-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së ZOTIT në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria». Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se ZOTI është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». Moisiu vijoi: «ZOTI është ai që në mbrëmje do t'ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. ZOTI i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër ZOTIT». Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para ZOTIT, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e ZOTIT u dëftua në re. ZOTI i tha Moisiut: «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, ZOTI, jam Perëndia juaj”». Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që ZOTI ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte. Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, ai u tha: «Ja çfarë thotë ZOTI: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të ZOTIT. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të ZOTIT. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më». Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t'i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? Shikoni! ZOTI ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». Kështu, populli pushoi ditën e shtatë. Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para ZOTIT, që të ruhet për breznitë e ardhshme». Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun. Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. Një omer është rreth dy kilogramë.

Eksodi 16:1-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit. Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë. Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble". Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo sipas ligjit tim. Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë". Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit; dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?". Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit". Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"". Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: "Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"". Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë. Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij". Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak. E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangët. Gjithkush mblodhi sipas nevojës së tij për ushqim. Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes". Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe; dhe Moisiu u zemërua me ta. Kështu e mblidhnin çdo mëngjes; secili sipas nevojës së tij për ushqim; por kur dielli bëhej i nxehtë, mana e mbledhur shkrihej. Kështu ditën e gjashtë mblodhën një racion të dyfishtë buke, dy omerë për secilin prej tyre. Dhe të gjithë krerët e asamblesë erdhën për t'ia referuar Moisiut. Atëherë ai u tha: "Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, një e shtunë e shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër". Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba. Moisiu tha: "Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat. Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më". Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia? Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arsye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë". Kështu populli pushoi ditën e shtatë. Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë. Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"". Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj". Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej. Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, derisa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën derisa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit. Omeri është e dhjeta pjesë e efës.