Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 14:15-31

Eksodi 14:15-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Moisiut: «Përse më thërret? Thuaju izraelitëve të nisen. Ti ngri shkopin dhe shtri dorën mbi det që ta ndash atë. Kështu izraelitët do të kalojnë nëpër tokë të thatë. Unë po ngurtësoj zemrat e egjiptianëve dhe ata do t'ju ndjekin pas. Kështu, do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij, karrocat e kalorësit e tij. Atëherë egjiptianët do ta dinë që unë jam ZOTI, kur do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë karrocat e kalorësit e tij». Atëherë engjëlli i Perëndisë, që printe ushtrinë e Izraelit, doli e qëndroi mbrapa tyre dhe pas qëndroi edhe shtylla e resë që u printe. Ai qëndroi mes ushtrisë së Egjiptit dhe asaj të Izraelit. Reja i mbante në errësirë egjiptianët, ndërsa izraelitëve u bënte dritë, që askush të mos i afrohej njëri-tjetrit gjatë tërë natës. Atëherë Moisiu shtriu dorën mbi det dhe ZOTI, gjatë tërë natës, e zmbrapsi detin me një erë të fortë nga lindja. ZOTI e ktheu detin në tokë të thatë dhe ujërat u ndanë. Izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mure nga të dyja anët. Edhe egjiptianët me të gjithë kuajt, karrocat e kalorësit e faraonit u sulën pas tyre dhe u futën në mes të detit. Në të gdhirë, ZOTI i vështroi egjiptianët nga shtylla e zjarrit dhe e resë dhe e hutoi tërë ushtrinë e tyre. Ua pengoi rrotat e karrocave, saqë mezi lëviznin. Atëherë ata thanë: «T'ia mbathim prej izraelitëve, sepse ZOTI po lufton për ta kundër egjiptianëve!». Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi det që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e kalorësit e tyre!». Moisiu e shtriu dorën mbi det dhe në agim deti u kthye si më parë. Egjiptianët ua mbathën kur panë se deti po vërshonte drejt tyre, por ZOTI i plandosi mu në mes të detit. Ujërat vërshuan e mbuluan karroca e kalorës dhe tërë ushtrinë e faraonit që shkoi e i ndoqi pas deri në det. Asnjë prej tyre nuk mbeti gjallë. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mur nga të dyja anët. Atë ditë ZOTI e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptit. Kur i panë egjiptianët të vdekur në breg të detit, izraelitët e kuptuan me ç'forcë të madhe kishte vepruar ZOTI kundër Egjiptit. Atëherë populli e druajti ZOTIN dhe besoi në të dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.

Eksodi 14:15-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara. Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë. Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e egjiptasve, dhe këta do t'i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij. Dhe egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij". Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre. Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit. Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë. Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre. Dhe egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit. Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërrmën. Ai bëri të shkëputen rrotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu egjiptasit thanë: "T'ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër egjiptasve". Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre". Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau egjiptasit në mes të detit. Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre. Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre. Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit egjiptasit e vdekur. Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.