Efesianëve 4:20-32
Efesianëve 4:20-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. Mos i bëni vend djallit. Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t'i dhënë atij që ka nevojë. Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë. Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit. Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi. Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.
Efesianëve 4:20-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin, në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qenë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin, që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës. Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t'i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njëri me tjetrin. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit. Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t'i japë diçka atij që ka nevojë. Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë. Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit. Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.