Efesianëve 4:17-27
Efesianëve 4:17-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t'i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. Mos i bëni vend djallit.
Efesianëve 4:17-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin, në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qenë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin, që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës. Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t'i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njëri me tjetrin. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit.