Efesianëve 4:1-13
Efesianëve 4:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri, një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri, duke u përpjekur të ruani njëshmërinë që vjen nga Shpirti, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin. Ka vetëm një trup e vetëm një Shpirt, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia. Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve e që banon në të gjithë. Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë. Prandaj thuhet: kur u ngrit në lartësi, të robëruarit i bëri robër të tij e njerëzve u dha dhunti. Fjalët «u ngrit», a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës? Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka. Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues, që të përgatisë të shenjtët për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit
Efesianëve 4:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes. Është një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj. Është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm, një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë. Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit. Për ç'ka Shkrimi thotë: ''Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve''. Tani kjo: ''Ai u ngjit'', ç'do të thotë tjetër përveçse ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulëta të dheut? Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat. Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit