Efesianëve 3:1-7
Efesianëve 3:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu. Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij.
Efesianëve 3:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë, dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju; se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë. Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit, që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës, që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit, shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhuntisë së hirit të Perëndisë që m'u dha në sajë të fuqisë së tij.