Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 3:1-13

Efesianëve 3:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu. Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij. Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m'u dha ky hir për t'u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë shestimin e tij që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë. Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t'i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.

Efesianëve 3:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë, dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju; se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë. Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit, që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës, që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit, shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhuntisë së hirit të Perëndisë që m'u dha në sajë të fuqisë së tij. Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m'u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit, dhe për t'u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit; që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë, sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë, në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të. Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë