Efesianëve 2:1-22
Efesianëve 2:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Edhe ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive e mëkateve tuaja, në të cilat jetonit dikur sipas mënyrës së kësaj bote, duke iu nënshtruar prijësit që sundon mes qiellit e tokës, shpirtit që tani vepron te bijtë e mosbindjes. Edhe ne dikur jetonim si ata, jepeshim pas epsheve të trupit, bënim çfarë dëshironte trupi e mendja jonë dhe dobësia jonë njerëzore na kishte bërë prej natyre bij të zemërimit njëlloj si të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, na dha jetë bashkë me Krishtin, ndonëse ishim të vdekur në paudhësitë tona. Ju jeni shpëtuar me anë të hirit. Perëndia na ngjalli me Jezu Krishtin e na uli bashkë me të në vendet qiellore. Kështu, nga mirësia që tregoi për ne përmes Krishtit Jezu, ai shpalosi për epokat e ardhshme pasurinë e pamasë të hirit të tij. Në të vërtetë, ju jeni shpëtuar me anë të hirit, përmes besimit e kjo nuk vjen prej jush, por është dhuratë nga Perëndia. Ju nuk u shpëtuat prej veprave tuaja, kështu që askush të mos mburret. Ne jemi vepër e Perëndisë, të krijuar përmes Krishtit Jezu për të bërë vepra të mira, të cilat Perëndia i parapërgatiti, që ne t'i vëmë në jetë. Prandaj kujtohuni se ju dikur keni qenë kombe që jetonit në dobësinë e mishit e jeni quajtur të parrethprerë nga judenjtë që quhen të rrethprerë. Ata janë rrethprerë në mish nga dora e njeriut. Në atë kohë, ju ishit pa Krishtin, nuk i përkisnit popullit të Izraelit, ishit të huaj për besëlidhjet e premtimit dhe nuk kishit shpresë e as Perëndi në këtë botë. Por tani përmes Krishtit Jezu, ju që dikur ishit larg nga Perëndia, iu afruat atij me anë të gjakut të Krishtit. Krishti është paqja jonë, është ai që nga kombet e nga judenjtë bëri një popull të vetëm dhe që në trupin e tij shembi murin që i ndante e që i bënte armiq. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve dhe të rregullave, që t'i bashkonte me veten kombet dhe judenjtë e t'i bënte një njeri të ri, duke sjellë kështu paqen mes tyre. Pasi shkatërroi armiqësinë mes tyre me anë të kryqit të tij, Krishti i bashkoi ata në një trup të vetëm e i pajtoi me Perëndinë. Ai erdhi e u predikoi ungjillin e paqes si juve që ishit larg Perëndisë, ashtu edhe atyre që ishin afër tij. Sepse, përmes Krishtit, si ju kombet, ashtu edhe ne judenjtë, mund të shkojmë tek Ati, me anë të të vetmit Shpirt. Prandaj ju nuk jeni më të huaj e bujtës, por jeni bashkëqytetarë me të shenjtët dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë. Ju jeni pjesë e ndërtesës që ka si themel apostujt e profetët dhe si gur të qoshes vetë Krishtin Jezu. Në të e gjithë ndërtesa lidhet mirë e rritet për t'u bërë një tempull i shenjtë për Zotin. Përmes tij edhe ju bashkë me të tjerët po ndërtoheni për t'u bërë ndërtesa ku Perëndia banon përmes Shpirtit.
Efesianëve 2:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjes së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus, për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to. Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut, ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetarinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t'i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete. Dhe ai erdhi për t'ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër, sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.