Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 1:1-14

Efesianëve 1:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj të shenjtëve që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor. Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë e të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij, Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij, që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur. Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij e na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë. Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri. Ai na bëri të njohur shestimin e fshehtë të vullnetit të vet që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit. Këtë shestim ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t'i vënë të gjitha gjërat nën pushtetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, edhe ato që janë në tokë. Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t'u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet, në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij. Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të e Perëndia ju vulosi me Shpirtin e shenjtë që kishte premtuar. Ky Shpirt është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.

Efesianëve 1:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, shenjtorëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Jezu Krishtin: Hir dhe paqe qoftë mbi ju prej Perëndisë, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht. I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin, sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij, në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh me gjithë urtësinë dhe mençurinë, duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t'i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe. Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij, që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin. Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë