Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Predikuesi 3:1-22

Predikuesi 3:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Për gjithçka ka një stinë, ka një kohë për çdo gjë nën qiell: një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një kohë për të shkulur të mbjellat, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë e një kohë për të qeshur, një kohë për të vajtuar e një kohë për të vallëzuar, një kohë për të hedhur gurë e një kohë për të mbledhur gurë, një kohë për t'u përqafuar e një kohë për të mos u përqafuar, një kohë për të kërkuar e një kohë për të humbur, një kohë për të mbajtur e një kohë për të lëshuar, një kohë për të grisur e një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe. Ç'dobi ka punëtori nga mundi i vet? Kam vërejtur detyrën që u ka dhënë Perëndia njerëzve, për ta kryer me mund. Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund. E kam marrë vesh se për ta nuk ka më mirë sesa të dëfrehen e ta shijojnë jetën. Për më tepër, Perëndia i ka bërë dhuratë çdo njeriu të hajë, të pijë e ta shijojë tërë mundin e vet. E di se gjithçka bën Perëndia, mbetet përgjithmonë. Nuk i duhet shtuar asgjë e nuk i duhet hequr asgjë. Perëndia ka vepruar, që njerëzit të shohin e t'ia kenë frikën. Ç'është tani, ka qenë tashmë. Ç'ka për të qenë, është që tani. Çfarë ka kaluar e shqyrton Perëndia. Përsëri pashë nën diell se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka paudhësi. Atëherë thashë në zemrën time: «Perëndia gjykon të drejtin e të paudhin, se ka një kohë për çdo gjë e për çdo veprim». Unë thashë në zemrën time: «Sa për njerëzit, Perëndia i vë në provë, që ta shohin se, në vetvete, ata janë kafshë». Se fati i njerëzve e fati i kafshëve është i njëjtë: siç vdesin këta, vdesin edhe ata. Të gjithë kanë të njëjtën frymë dhe njerëzit nuk kanë asnjë epërsi ndaj kafshëve, se gjithçka është tymnajë. Gjithçka shkon në të njëjtin vend. Gjithçka vjen nga pluhuri e në pluhur kthehet gjithçka. Kush e di në ngjitet lart shpirti i njerëzve e në zbret nën tokë shpirti i kafshëve? Kështu, vërejta se për njeriun nuk ka më mirë sesa të dëfrehet me mundin e vet, se kjo i takon. Kush vallë e bën të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?

Predikuesi 3:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë, një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle, një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur, një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen. Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet? Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen. Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund. Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë; dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë. E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t'u shtosh dhe t'u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij. Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar. Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të arsyes kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi. Kështu thashë në zemrën time: "Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër". Thashë në zemrën time: "Për sa u përket kushteve në të cilat ndodhen bijtë e njerëzve, Perëndia i vë në provë, që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë". Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi. Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur. Kush e di në se fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe në se fryma e kafshës zbret poshtë në tokë? Kështu e kuptova që nuk ka gjë më të mirë për njeriun se sa të gëzohet në punën e tij, sepse kjo është pjesa e tij. Kush do ta çojë në fakt të shohë atë që ka për të ndodhur pas tij?

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë