Predikuesi 3:1-12
Predikuesi 3:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Për gjithçka ka një stinë, ka një kohë për çdo gjë nën qiell: një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një kohë për të shkulur të mbjellat, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë e një kohë për të qeshur, një kohë për të vajtuar e një kohë për të vallëzuar, një kohë për të hedhur gurë e një kohë për të mbledhur gurë, një kohë për t'u përqafuar e një kohë për të mos u përqafuar, një kohë për të kërkuar e një kohë për të humbur, një kohë për të mbajtur e një kohë për të lëshuar, një kohë për të grisur e një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe. Ç'dobi ka punëtori nga mundi i vet? Kam vërejtur detyrën që u ka dhënë Perëndia njerëzve, për ta kryer me mund. Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund. E kam marrë vesh se për ta nuk ka më mirë sesa të dëfrehen e ta shijojnë jetën.
Predikuesi 3:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë, një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle, një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur, një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen. Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet? Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen. Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund. Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë