Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 17:1-20

Ligji i Përtërirë 17:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Mos i flijo ZOTIT, Perëndisë tënd, ka apo dele me ndonjë të metë apo ndonjë të keqe tjetër, sepse është e neveritshme për ZOTIN, Perëndinë tënd. Nëse gjendet në mesin tënd, në ndonjërin prej qyteteve që po të jep ZOTI, Perëndia yt, ndonjë burrë apo grua, që bën çka është e ligë para ZOTIT, Perëndisë tënd, nëse ai apo ajo e thyen besëlidhjen e Zotit duke i shërbyer perëndive të tjerë e duke adhuruar diellin, hënën apo gjithçka që është në qiell, të cilët unë i ndalova, atëherë, pasi të vihesh në dijeni, hetoje mirë. Nëse del e vërtetë se një poshtërsi e tillë është kryer në Izrael, atëherë sille te portat e qytetit këtë burrë apo grua që ka kryer këtë gjë të ligë e vrite me gurë. Dënimi me vdekje të jepet në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. Mos jep dënim me vdekje në bazë të një dëshmitari të vetëm. Dëshmitarët t'i ngrenë duart të parët për të qëlluar me gurë e pastaj t'i ngrejë duart tërë populli. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Nëse e ke të vështirë të gjykosh ndonjë çështje ligjore, që del në qytetin tënd, çështje gjakderdhjeje, të drejte apo çështje dëmi, shko te vendi që do të zgjedhë ZOTI, Perëndia yt. Do t'u drejtohesh priftërinjve levitë dhe gjykatësit që është në detyrë gjatë asaj kohe. Do t'i pyesësh për çështjen në fjalë dhe ata do të të japin një vendim. Vepro sipas vendimit që do të të jepet në vendin që do të zgjedhë ZOTI. Bëj me kujdes gjithçka që do të të mësojnë ata. Vepro sipas ligjit që të mësojnë ata e sipas vendimit që të thonë ata. Mos iu shmang as djathtas e as majtas fjalës që të tregojnë ata. Ai që, për shkak të mendjemadhësisë, nuk e dëgjon gjykatësin ose priftin që i shërben atje ZOTIT, Perëndisë tënd, të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë prej Izraelit. Tërë populli do të dëgjojë, do të ketë frikë e nuk do sillet më me mendjemadhësi. Kur të hysh në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të e të thuash: “Dua të vë një mbret, siç bëjnë tërë popujt përreth meje”, atëherë cakto mbret atë që do të zgjedhë ZOTI, Perëndia yt. Merre mbretin nga mesi i vëllezërve të tu. Mos merr një të huaj që nuk është vëllai yt. Veçse, mbreti nuk duhet të mbledhë shumë kuaj e nuk duhet ta çojë popullin në Egjipt, që të shtojë numrin e kuajve, sepse ZOTI të tha që të mos i kthehesh më asaj udhe. Të mos ketë shumë gra, që të mos i shmanget zemra nga udha e Zotit. Të mos ketë me tepri ar e argjend. Kur të marrë fronin e mbretërisë, të shkruajë për vete një kopje të këtij ligji në prani të priftërinjve levitë. Ta ketë me vete e ta lexojë tërë ditët e jetës së tij, që të mësojë ta druajë ZOTIN, Perëndinë e tij, e të mbajë e zbatojë çdo fjalë të këtij ligji e të këtyre rregullave. Të mos jetë kryelartë përmbi vëllezërit e të mos u shmanget as djathtas e as majtas urdhërimeve, që të mbretërojë gjatë ai dhe bijtë e tij në Izrael».

Ligji i Përtërirë 17:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Nuk do t'i flijosh Zotit, Perëndisë tënd, ka, dele ose dhi që kanë ndonjë të metë ose gjymtim, sepse kjo do të ishte një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd. Në rast se gjendet midis teje, në një nga qytetet që Zoti, Perëndia yt, po të jep, një burrë apo një grua që bën atë që është e keqe për sytë e Zotit, Perëndisë tënd, duke shkelur besëlidhjen e tij, dhe që shkon t'u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar, dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael, do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin Ai që duhet të vdesë do të dënohet me vdekje me deponimin e dy apo tri dëshmitarëve, por nuk do të dënohet me vdekje askush me deponimin e një dëshmitari të vetëm. Dora e dëshmitarëve do të jetë e para që do të ngrihet kundër tij për t'i shkaktuar vdekjen; pastaj do të ngrihet dora e të gjithë popullit; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga gjiri yt. Në rast se të paraqitet një rast shumë i vështirë për t'u gjykuar, midis vrasësve, midis një padie e tjetrës, midis një plagosjeje e tjetrës, grindje brenda portave të shtëpisë sate, atëherë do të dhe do të takohesh me priftërinjtë levitë dhe me gjykatësit në funksion në atë kohë dhe do të këshillohesh me ta; atëherë ata do të shpallin vendimin e gjyqit; dhe ti do t'i përmbahesh vendimit që ata të kanë treguar në vendin ku Zoti ka zgjedhur dhe do të kujdesesh të bësh të gjitha ato që të kanë mësuar. Do t'i përmbahesh ligjit që të kanë mësuar dhe vendimit që të kanë deklaruar; nuk do të shmangesh nga vendimi që të kanë treguar as djathtas, as majtas. Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli; tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi. Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep dhe do ta shtiesh në dorë dhe do të banosh atje, në rast se do të thuash: "Dua të caktoj mbi mua një mbret ashtu si tërë kombet që më rrethojnë", do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt. Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh, as ta kthejë popullin në Egjipt për të shtënë në dorë një numër të madh kuajsh, sepse Zoti ju ka thënë: "Nuk do të ktheheni më në atë rrugë". Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret; dhe nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari. Përveç kësaj, kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, sipas kopjes së priftërinjve levitë. Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve, me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij dhe të mos shmanget nga ky urdhërim as djathtas, as majtas, dhe të zgjasë kështu ditët e mbretërimit të tij, ai vetë dhe bijtë e tij, në mes të Izraelit".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë