Kolosianëve 3:12-25
Kolosianëve 3:12-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia ju ka thirrur, ju ka bërë të shenjtë dhe ju ka dashur, prandaj, vishuni me dhembshuri, me mirësi, me përulësi, me zemërbutësi dhe me zemërgjerësi. Durojeni dhe faleni njëri-tjetrin sa herë që dikush të ketë ankesë kundër ndonjë tjetri. Falni ashtu si edhe Zoti ju ka falur. Mbi të gjitha, kini dashuri, sepse dashuria do t'ju bashkojë në mënyrë të përsosur. Paqja e Krishtit, në të cilën Perëndia ju ka thirrur të jeni të bashkuar si një trup i vetëm, mbretëroftë në zemrat tuaja. Jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me gjithë begatinë e saj. Mësoni e këshilloni njëri-tjetrin me urti! Këndojini me gjithë zemër Perëndisë psalme, himne e këngë shpirtërore! Gjithçka që thoni e gjithçka që bëni, ta bëni në emër të Zotit Jezu, duke falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë. Ju gra, nënshtrojuni burrave, siç ka hije në sytë e Zotit! Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të ashpër me to! Ju bij, bindjuni prindërve në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit! Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra! Ju skllevër, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj tokësorë, jo sa për sy e faqe për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre dhe duke iu druajtur Zotit! Gjithçka që bëni, bëjeni me shpirt si ta bënit për Zotin e jo për njerëzit, sepse ju e dini se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgimin e mbretërisë së tij. Në të vërtetë ju i shërbeni Zotit Krisht. Ai që bën padrejtësi do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Perëndia nuk mban anë.
Kolosianëve 3:12-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij. Ju gratë, jini të nënshtruara burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju burrat, duajini gratë tuaja dhe mos u bëni të hidhur ndaj tyre. Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin. Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra. Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t'u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit. Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë.