Kolosianëve 1:15-20
Kolosianëve 1:15-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Biri është shëmbëllimi i Perëndisë së padukshëm, i lindur përpara çdo krijese. Sepse nga ai u krijua gjithçka në qiej e në tokë, të dukshmet e të padukshmet, fronet, zotërimet, sunduesit e pushtetet. Gjithçka u krijua përmes tij e për të. Ai është përpara çdo gjëje, gjithçka e krijuar qëndron në të. Ai është kreu i trupit, domethënë i kishës, fillimi i jetës së re, i pari që u ngjall prej të vdekurve, që të jetë i pari në gjithçka. Sepse Perëndisë i pëlqeu që në Birin të banojë e gjithë plotësia e vetë Perëndisë e të pajtojë me veten e tij, nëpërmjet Birit, gjithçka mbi tokë a në qiej, duke vendosur paqen me anë të gjakut që Biri derdhi në kryq.
Kolosianëve 1:15-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese, sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të. Ai vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë, sepse Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia, dhe, duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij, duke fituar pas, me anë të tij, të gjitha gjërat, si ato që janë mbi dhe si dhe ato që janë në qiejt.