Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 1:1-12

Kolosianëve 1:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë! E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit. Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti. Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë.

Kolosianëve 1:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote, shenjtorëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin, që janë në Kolos: hir dhe paqe mbi ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht. E falënderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju, sepse morëm vesh për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve, për shkak të shpresës që ruhet për ju në qiejt, për të cilën keni dëgjuar në fjalët e së vërtetës së ungjillit, që arriti te ju, sikurse edhe në gjithë botën, dhe po jep fryt e rritet, sikurse edhe ndër ju, nga dita që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë në të vërtetë, sikurse edhe e mësuat nga Epafrai, shoku ynë i dashur në shërbesë, i cili është një shërbëtor besnik i Krishtit për ju, dhe që na ka treguar dashurinë tuaj të madhe në Frymën. Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t'i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim, duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.