Veprat e Apostujve 9:1-9
Veprat e Apostujve 9:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem. Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek. Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh». Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë.
Veprat e Apostujve 9:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti, dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem. Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ''Saul, Saul, përse më përndjek?''. Dhe ai tha: ''Kush je, Zot?''. Dhe Zoti tha: ''Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave''. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.