Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 9:1-30

Veprat e Apostujve 9:1-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem. Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek. Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh». Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë. Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot». Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi». Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri. Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty». Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim». Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë». Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia. Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë. Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t'u vënë prangat e për t'i çuar te kryepriftërinjtë?». Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti. Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë, por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin. Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh. Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk besonin që ai ishte dishepull. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars.

Veprat e Apostujve 9:1-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti, dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem. Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ''Saul, Saul, përse më përndjek?''. Dhe ai tha: ''Kush je, Zot?''. Dhe Zoti tha: ''Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave''. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu. Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''. Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet; ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''. Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''. Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit. Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''. Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua. Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask. Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshin: ''Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t'i çojë si robër te krerët e priftërinjve?''. Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti. Pas shumë ditësh, judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin. Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin; atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë. Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit. Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus. Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin. Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë