Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 9:1-22

Veprat e Apostujve 9:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem. Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek. Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh». Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë. Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot». Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi». Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri. Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty». Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim». Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë». Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia. Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë. Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t'u vënë prangat e për t'i çuar te kryepriftërinjtë?». Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.

Veprat e Apostujve 9:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti, dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem. Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ''Saul, Saul, përse më përndjek?''. Dhe ai tha: ''Kush je, Zot?''. Dhe Zoti tha: ''Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave''. Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''. Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri. Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu. Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''. Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet; ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''. Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem. Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''. Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit. Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''. Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''. Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua. Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask. Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshin: ''Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t'i çojë si robër te krerët e priftërinjve?''. Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.