Veprat e Apostujve 8:26-34
Veprat e Apostujve 8:26-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë. Filipi u ngrit e shkoi. Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar e tani po kthehej, ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isai. Atëherë Shpirti i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!». Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isai e i tha: «A e kupton atë që po lexon?». Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij. Pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: e çuan si dele për t'u therur, si qengjin që shkon për t'u qethur pa bëzajtur e ai nuk e hapi gojën. E poshtëruan e ia mohuan drejtësinë. E kush mund të flasë për pasardhësit e tij? Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë. Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?».
Veprat e Apostujve 8:26-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ''Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë''. Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar. Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia. Dhe Fryma i tha Filipit: ''Afrohu dhe arrije atë karrocë!''. Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ''A e kupton atë që lexon?''. Ai tha: ''E si do të mundja, po s'pata një që të më udhëzojë?''. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij. Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ''Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka''. Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ''Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?''.