Veprat e Apostujve 4:23-28
Veprat e Apostujve 4:23-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot, ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë: përse u zemëruan kombet e popujt thurin shestime të kota? Mbretërit e tokës janë përgatitur e princat janë mbledhur së bashku kundër Zotit e kundër Krishtit të tij. Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin.
Veprat e Apostujve 4:23-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë. Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ''O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij". Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.