Veprat e Apostujve 28:1-6
Veprat e Apostujve 28:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë. Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë. Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë që doli për shkak të të nxehtit. Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë». Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe. Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.
Veprat e Apostujve 28:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë. Barbarët treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë, sepse ndezën një zjarr të madh dhe na morën të gjithëve brenda, sepse binte shi dhe bënte ftohtë. Dhe, ndërsa Pali mblidhte ca shkarpa dhe i vinte mbi zjarr, nga të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit te dora. Barbarët, kur panë gjarprin që i varej nga dora, i thanë njëri-tjetrit: ''Me siguri ky njeri është një vrasës, sepse, edhe pse shpëtoi nga deti, drejtësia hyjnore nuk e lë të rrojë''. Por Pali, si e shkundi gjarprin në zjarr, nuk pësoi ndonjë të keqe. Dhe ata po prisnin që ai të fryhej ose të binte i vdekur në çast; por, mbasi pritën gjatë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe thanë se ishte një perëndi.