Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 27:9-20

Veprat e Apostujve 27:9-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona». Por kryeqindësi dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk u vuri vesh fjalëve të Palit. Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi. Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t'ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç'të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej. Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era. Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi.

Veprat e Apostujve 27:9-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe, duke qenë se kishte kaluar mjaft kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tashmë kishte kaluar, Pali i këshilloi ata të anijes, duke thënë: ''O burra, unë po shoh se lundrimi do të bëhet me rrezik dhe me dëm të madh jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për ne vetë. Por centurioni kishte më shumë besim te timonieri dhe te kapiteni i anijes sesa në ato që thoshte Pali. Dhe duke qenë se ai liman nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica qe e mendimit të lundronim prej andej për t'u përpjekur të arrinim në njëfarë mënyre në Fenike, një liman i Kretës, që sheh nga jugperëndimi dhe veriperëndimi, dhe aty të kalonim dimrin. Dhe kur filloi të fryjë lehtë juga, duke menduar se mund të realizohej qëllimi i tyre, i ngritën spirancat dhe filluan të lundrojnë afër brigjeve të Kretës. Por, pak më vonë, shpërtheu mbi ishull një erë e vrullshme, që e quajnë Euroklidon. Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t'i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej. Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin. Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej. Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën. Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det. Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi.