Veprat e Apostujve 24:10-15
Veprat e Apostujve 24:10-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj: «Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time. Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull. Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet. Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje. Por, po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin dhe në librat e profetëve. Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen.
Veprat e Apostujve 24:10-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: ''Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes. Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar. Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet; dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë. Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët, duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.