Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 21:15-40

Veprat e Apostujve 21:15-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai. Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria». Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin. Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull. Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës. Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!». Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit». Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha

Veprat e Apostujve 21:15-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem. Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim. Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim. Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë. Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij. Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: ''Vëlla, ti po sheh sa mijëra judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përmbahen me zell ligjit. Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë judenjtë që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet. Po atëherë, ç'duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur. Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn; merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s'janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin. Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç'të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria''. Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata. Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të, duke bërtitur: ''O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë''. Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull. Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorën jashtë tempullit dhe dyert u mbyllën menjëherë. Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar. Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç'kishte bërë. Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë. Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët, sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: ''Vdekje!''. Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: ''A më lejohet të them diçka?''. Ai u përgjigj: ''A di greqisht? Mos je vallë ai egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?''. Dhe Pali tha: ''Unë jam një jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s'është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t'i flas popullit''. Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallaret, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë