Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 21:1-40

Veprat e Apostujve 21:1-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm. Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi. Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin. Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem. Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu». Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!». Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai. Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria». Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin. Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull. Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës. Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!». Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit». Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha

Veprat e Apostujve 21:1-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara. Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam. Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar. Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem. Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm. Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta. Kur mbaruam lundrimin, nga Tiroja erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta. Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai. Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin. Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo. Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: ''Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do ta dorëzojnë johebrenjve''. Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem. Por Pali u përgjigj: ''Ç'po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus''. Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: ''U bëftë vullneti i Zotit!''. Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem. Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim. Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim. Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë. Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij. Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: ''Vëlla, ti po sheh sa mijëra judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përmbahen me zell ligjit. Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë judenjtë që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet. Po atëherë, ç'duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur. Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn; merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s'janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin. Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç'të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria''. Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata. Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të, duke bërtitur: ''O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë''. Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull. Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorën jashtë tempullit dhe dyert u mbyllën menjëherë. Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar. Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç'kishte bërë. Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë. Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët, sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: ''Vdekje!''. Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: ''A më lejohet të them diçka?''. Ai u përgjigj: ''A di greqisht? Mos je vallë ai egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?''. Dhe Pali tha: ''Unë jam një jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s'është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t'i flas popullit''. Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallaret, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë