Veprat e Apostujve 2:14-28
Veprat e Apostujve 2:14-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit, por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel: Në ditët e fundit, thotë Perëndia, do të ndodhë kështu: unë do të dikoj Shpirtin tim te të gjithë njerëzit. Bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime e pleqve tuaj do t'u flas përmes ëndrrave. Edhe mbi shërbëtorët e shërbëtoret e mia do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë e ata do të profetizojnë. Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme lart në qiell e shenja poshtë në tokë, gjak, zjarr e shtëllunga tymi. Dielli do të kthehet në errësirë e hëna në gjak para se të vijë dita madhështore dhe e lavdishme e Zotit. Atëherë, kushdo që të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet. Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. Davidi thotë për të: Zotin e kisha gjithmonë para syve. Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem. Prandaj u gëzua zemra ime, gjuha ime u ngazëllua e trupi im do të prehet në shpresë, se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë shpirtin tim, as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd të shohë kalbjen. Ti më ke treguar udhët e jetës e do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde.
Veprat e Apostujve 2:14-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: ''Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: "Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet". Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini, ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë. Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë. Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem. Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë. Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".