Veprat e Apostujve 2:1-13
Veprat e Apostujve 2:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur. Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë». Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».
Veprat e Apostujve 2:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin. Por në Jeruzalem banonin disa judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell. Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet. Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ja, a nuk janë të gjithë galileas këta që flasin? Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare? Ne partët, medët, elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, judenj dhe proselitë, kretas dhe arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!''. Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'do të thotë kjo?''. Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thoshin: ''Janë plot me verë të ëmbël!''.