Veprat e Apostujve 19:11-20
Veprat e Apostujve 19:11-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit, aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre. Dhe disa yshtës shëtitës judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: ''Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!''. Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude. Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: ''Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?''. Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur. Kjo u mor vesh nga të gjithë judenjtë dhe grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar. Dhe shumë nga ata që kishin besuar vinin të rrëfeheshin dhe të tregonin gjërat që kishin bërë. Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi. Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej.
Veprat e Apostujve 19:11-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit. Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre. Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!». Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev, por shpirti i keq u përgjigj: «Unë i njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?». Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur. Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë e helenët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu. Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë. Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi. Kështu fjala e Zotit përhapej e forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.