Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 18:1-11

Veprat e Apostujve 18:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint. Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t'i takuar dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ndenji e punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave. Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë e helenët. Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë, duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti. Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre e u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë. Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t'u predikoj kombeve». Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës. Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan. Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht, se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua». Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë.

Veprat e Apostujve 18:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint. Dhe si gjeti një farë judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata. Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra. Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte judenj dhe grekë. Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t'u dëshmuar judenjve se Jezusi ishte Krishti. Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: ''Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë''. Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjitur me sinagogën. Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan. Një natë Zoti i tha Palit në vegim: ''Mos druaj, por fol dhe mos pusho, sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet''. Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë