Veprat e Apostujve 17:24-29
Veprat e Apostujve 17:24-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh. “Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj, se edhe ne jemi bijtë e tij”. E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve.
Veprat e Apostujve 17:24-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë; dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij". Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.