Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 16:16-33

Veprat e Apostujve 16:16-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit». Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë. Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë». Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij. Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij.

Veprat e Apostujve 16:16-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj. Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''. Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast. Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve; dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: ''Këta njerëz, që janë judenj, e turbullojnë qytetin tonë, dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t'i pranojmë dhe t'i zbatojmë''. Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t'i rrahin me kamxhik. Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t'i ruajë me kujdes. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru. Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës; pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''. Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë