Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 16:12-40

Veprat e Apostujve 16:12-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë. Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë. Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit». Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë. Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë». Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri. Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij. Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë. Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë». Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.

Veprat e Apostujve 16:12-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet. Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje. Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali. Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: ''Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini''. Dhe na detyroi të pranojmë. Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj. Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''. Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast. Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve; dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: ''Këta njerëz, që janë judenj, e turbullojnë qytetin tonë, dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t'i pranojmë dhe t'i zbatojmë''. Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t'i rrahin me kamxhik. Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t'i ruajë me kujdes. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru. Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur. Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës; pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''. Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë. Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë. Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t'i thonë rojtarit të burgut: ''Lëri të lirë ata njerëz''. Dhe rojtari i burgut i tregoi Palit këto fjalë: ''Pretorët kanë dërguar fjalë që të liroheni; dilni, pra, dhe shkoni në paqe''. Por Pali u tha atyre: ''Mbasi na kanë rrahur botërisht pa qenë të dënuar në gjyq, ne që jemi qytetarë romakë, na futën në burg dhe tani na nxjerrin fshehtas? Jo, kurrsesi! Le të vijnë vetë ata të na nxjerrin jashtë''. Liktorët ua tregon këto fjalë pretorëve; dhe ata, kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë, u frikësuan. Atëherë erdhën dhe iu lutën atyre, dhe si i nxorën, iu lutën që të largohen nga qyteti. Atëherë ata, si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias dhe, kur panë vëllezërit, i ngushëlluan; dhe ikën.