Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 15:22-41

Veprat e Apostujve 15:22-41 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë apostujt e pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t'i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit. Ata shkruan me dorën e tyre: «Vëllezërit apostuj e pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve që vijnë nga kombet e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje! Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin, kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t'i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht. Kemi dërguar Judën e Silën që do t'jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra. Shpirti i shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t'ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme: hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra. Ju priftë e mbara!». Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën. Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi. Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t'u dhënë zemër vëllezërve e për t'i forcuar. Pasi kaluan disa kohë aty, vëllezërit i nisën në paqe tek ata që i kishin dërguar. Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit. Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët». Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark, por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre. Ata u grindën aq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro. Pali zgjodhi Silën e u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit. Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat.

Veprat e Apostujve 15:22-41 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnaban, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, burra udhëheqës ndër vëllezërit, me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ''Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje. Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin, na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t'i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal, njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t'ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra. Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme: që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë''. Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën. Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin. Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan. Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt. Por Silës iu duk mirë të mbetej aty. Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit. Pas disa ditësh Pali i tha Barnabas: ''Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë''. Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark. Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë. Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro. Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë. Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.